Loading...
You are here:  Home  >  Press statement  >  Current Article

OHCHR: “Mos e mohoni trashëgiminë kulturore e të tjerëve,” thotë ekspertja e OKB-së pas vizitës fakt-mbledhëse në Serbi dhe Kosovë*

By   /  20/10/2016  /  No Comments

    Print       Email

“Mos e mohoni trashëgiminë kulturore e të tjerëve,” thotë ekspertja e OKB-së pas vizitës fakt-mbledhëse në Serbi dhe Kosovë*

BEOGRAD/GJENEVË (14 tetor 2016) – “Jam e brengosur me nivelin e lartë të politizimit të çështjeve të trashëgimisë kulturore në Serbi dhe në Kosovë,” tha Karima Bennoune, eksperte e OKB-së për të drejtat e njeriut, në fund të vizitës së saj të parë fakt-mbledhëse në Serbi dhe Kosovë. “Kjo e shndërron trashëgiminë kulturore në një mjet si dhe prodhon diskurse monolitike që nuk janë të përshtatshme për shoqëri të shumëllojshme,” tha ajo.

Raportuesja Speciale e OKB-së në fushën e të drejtave kulturore, e cila qëndroi në Serbi dhe Kosovë nga 3 deri më 14 tetor, e zhvilloi këtë vizitë për të trajtuar tensionet në rritje në mes të Serbisë dhe Kosovës rreth trashëgimisë kulturore, si dhe për të trajtuar në mënyrë më të gjërë të drejtën e pjesëmarrjes në jetë kulturore pa diskriminim në Serbi dhe në Kosovë.

“Serbia dhe Kosova duhet ta kuptojnë se sa thelbësore është t’i shohin çështjet e trashëgimisë kulturore nga këndvështrimi i të drejtave të njeriut, bazuar në të drejtën e të gjithë njerëzve për pjesëmarrje pa dallim në jetën kulturore, qasjen dhe gëzimin e trashëgimisë kulturore, lirinë e shprehjes, mendimit, vetëdijes dhe fesë, si dhe të edukimit në veçanti,” tha ajo.

Raportuesja Speciale i bëri thirrje Serbisë dhe Kosovës t’i ndajnë çështjet e trashëgimisë kulturore nga agjendat nacionaliste. “Nuk duhet të ketë këndvështrim monolitik se çka përbën ose çka mund të përbëjë trashëgimia kulturore. Trashëgimia kulturore nuk duhet të përdoret kurrë për ndërtimin e diskurseve apo politikave që kanë për synim përjashtimin e të tjerëve,” tha ajo.

“I inkurajoj të gjithë që ta kuptojnë trashëgiminë kulturore në mënyrë më të gjërë, përfshirë këtu kontributet dhe këndvështrimet e të gjitha grupeve. Të gjithë, përfshirë këtu serbët, shqiptarët, romët, ortodoksët, muslimanët dhe hebrenjtë dhe të gjitha pakicat, si dhe personat laik, gratë, pjesëtarët e komunitetit LGBT, personat me aftësi të kufizuara dhe personat me prejardhje të përzier, kontribuojnë dukshëm në trashëgiminë kulturore dhe në ekzistencën e jetës së gjallë kulturore. Kjo duhet të njihet,” znj. Bennoune theksoi.

Një ndër çështjet brengosëse është fati i trashëgimisë kulturore të Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë, pjesa dërrmuese e së cilës përfshin monumente që janë kyçe për gëzimin e të drejtave të njeriut. “Më erdhi keq kur dëgjova e lexova diskurse që mohonin rëndësinë e trashëgimisë kulturore të Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë, apo mospërmendjen e qëllimtë të lidhjes specifike të Kishës Ortodokse Serbe me vende të caktuara. Njëkohësisht, më vjen keq edhe për diskurset që minimizojnë rëndësinë madje edhe ekzistencën e trashëgimisë kulturore të shqiptarëve të Kosovës. Të dyja diskurset janë të dëmshme për të drejtat e njeriut dhe njëlloj ofenduese,” ajo shtoi.

“Fatmirësisht, kam pasur rastin të takojë përfaqësues të shoqërisë civile të profileve të ndryshme të cilët janë të gatshëm t’i luftojnë këto qasje dhe të organizojnë ngjarje të përbashkëta me njerëz me prejardhje të ndryshme si dhe vizita në vendet e rëndësishme kulturore të të gjitha grupeve. Aktivitete të tilla shpeshherë ballafaqohen me mungesë të fondeve dhe kanë nevojë për tërë përkrahjen e mundshme nga Serbia, Kosova, si dhe nga komuniteti ndërkombëtar”.

“Ekziston një nevojë e qartë e njohjes së dyanshme të dëmit që është shkaktuar në të kaluarën me sulmet ndaj trashëgimisë që i përket grupeve të ndryshme, dhe vuajtjes që kjo ka shkaktuar. Paqes dhe pajtimit të qëndrueshëm nuk i duhen humbjet”. Raportuesja Speciale iu referua shumë raporteve për sulme të përhapura kundër dhe shkatërrimeve të xhamive, qendrave kulturore dhe vendeve kulturore siç janë arkivat, të kryera nga forcat serbe të sigurisë dhe paramilitarët më 1999 në Kosovë, si dhe ato kundër kishave, të shkaktuara nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Ajo po ashtu iu referua shkatërrimit të qëllimshëm, në veçanti te 35 monumenteve dhe kishave ortodokse gjatë 17 dhe 19 marsit 2004, të përcjellura me një varg sulmesh dhe incidentesh kundër trashëgimisë kulturore ortodokse serbe që atëherë. Ajo gjithashtu shprehi keqardhje për sulmet hakmarrëse gjatë ngjarjeve të marsit 2004, duke përfshirë atë në atelien e skulptorit shqiptar të Kosovës, Agim Çavdarbasha në Prishtinë, si dhe kundër xhamive në Nish dhe Beograd. “Dënoj pa rezervë të gjitha këto sulme dhe shkatërrime të trashëgimisë kulturore dhe insistoj në të gjithë hapat e nevojshëm që duhet të ndërmirren për të parandaluar çfarëdo përsëritje si dhe përgjegjësinë e autorëve në përputhje me normat ndërkombëtare.”

“Në Kosovë, vlerësova raportet e burimeve të ndryshme që e njohin përkushtimin dhe rritjen e kapaciteteve të policisë së Kosovës në mbrojtjen e këtyre vendeve, veçanërisht duke iu falendëruar njësisë së saj të specializuar në mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, e cila ështe shumëetnike në përbërjen e saj,” tha Znj. Bennoune. Ajo theksoi raportimin për reduktim të numrit të incidenteve të sigurisë ku është e përfshirë trashëgimia kulturore, duke e pasur parasysh pohimet  që statistikat nuk reflektojnë në tërësi realitetin. “Po ashtu kam dëgjuar brengat aktuale të murgjëve ortodoks Serbë dhe murgeshave, të cilët nuk ndihen të sigurtë dhe largw prej të qenit të mirëseardhur ose të pranuar.”

“Sa herë që ka incidente që kanë të bëjnë me trashëgiminë kulturore, ato duhet gjithmonë të dënohen në mënyrë publike dhe nga të gjithë zyrtarët, si dhe nga udhëheqësit e ndryshëm fetarë dhe kulturorë për t’i siguruar grupet relevante që janë të sigurtë dhe për të treguar papranueshmërinë e plotë ndaj një sjelljeje të tillë,” rekomandoi Raportuesja Speciale. Raportuesja Speciale poashtu theksoi se bashkësia ndërkombëtare  e ka për detyrë të sigurohet, duke përfshirë edhe ndihmën financiare, që mbojtja e mirëfilltë e trashëgimisë kulturore është e garantuar.

Personat nga Kosova të zhvendosur brenda vendit panë shkatërrimin e trashëgimisë së tyre kulturore si një tentim për ta fshirë historinë e tyre. Gëzimi i të drejtave të barabarta kulturore është po ashtu komponentë e rëndësishme që mundëson kthim të qëndrueshëm.

“Më duhet të theksoj që vendet e rëndësisë së posaçme për Kishën ortodokse serbe dhe popullin serb në Kosovë janë po ashtu të rëndësishme për shumë njerëz të tjerë, duke përfshirë shqiptarët e Kosovës të cilët nganjëherë u janë qasur manastireve ose kishave për t’u lutur ose për t’i vizituar,” Znj Bennoune tha. Nga perspektiva e të drejtave të njeriut, mbrojtja dhe sigurimi i respektimit të plotë të një relacioni të veçantë ndërmjet Kishës ortodokse serbe me këto vende, nuk do të thotë që të tjerët nuk duhet të kenë qasje në to.

“Gjithashtu jam e bindur se shumë në Kishën Ortodokse Serbe si dhe anëtarë të komuniteteve tjera fetare e jofetare janë të interesuar për një qasje më të hapur dhe të lirë në këto vende,” theksoi ekspertja. “Natyrisht, një barazpeshë e mirë duhet të arrihet në mes të nevojës për të ofruar qasje dhe siguri por mbisigurimi bart rrezikun e përjashtimit dhe tjetërsimit.”

“Në Kosovë, më shumë përpjekje nevojiten po ashtu për të mbrojtur vende tjera të trashëgimisë, posaçërisht qendrat historike, shtëpitë dhe hamamet e vjetra, në rend të parë prej aktorëve privatë në lëminë e biznesit,” Znj. Bennoune tha. “Përderisa standardet ligjore për mbrojtje të trashëgimisë kulturore janë mjaft të avansuara, standardet e tilla duhet të gjejnë zbatueshmëri të plotë në çfarëdo përpjekje për zhvillim urban, në dizajnimin e të cilit shoqëria civile duhet të marrë pjesë plotësisht.” Znj. Bennoune përmendi konkretisht gjendjen në Prizren. Ajo dëgjoi me keqardhje se mbrojtësit e trashëgimisë kulturore të cilët i ngrisin këto raste janë kërcënuar, dyshohet nga ana e aktorëve privatë.

Raportuesja Speciale shprehi shqetësim rreth faktit se në Serbi, kampi i hebrenjëve dhe romëve “Toposke shupe” i Luftës së Dytë Botërore në Beograd planifikohet të rrënohet më 2017 për të ndërtuar qendër tregtare që thuhet do të jetë më e madhja në Ballkan. Ajo shpreson se një vend tjetër, ish kampi përqendrues “Sajmishte” për popullatën hebrenje, rome, serbe dhe për partizanë, do të mbrohet në mënyrë adekuate, përfshirë edhe Pavilionin Gjerman, dhe se vuajtjet e të burgosurve të asgjësuar të këtij kampi, do të përkujtohen në veçanti.

“Njëmend, në Serbi, mbesin sfida serioze në fushën e të drejtave kulturore që duhet të adresohen urgjentisht. Këto përfshijnë mundësinë e diskutimit, prodhimit dhe qasjes në përmbajtjen kulturore lidhur me krimet e kaluara të viteve të nëntëdhjeta, si dhe lirinë e të shprehurit artistik, dhe të drejtat e mbrojtësve të të drejtave të njeriut,” theksoi tutje Raportuesja Speciale. Shumë nga këto ndërlidhen me ndikimin e nacionalizmit në rritje. Raportuesja Speciale u nda e kënaqur edhe me përparimin e bërë, duke theksuar faktin se tani lejohet Marshi i Krenarisë i komunitetit LGBT.

Në Serbi dhe Kosovë, financimi vazhdon të paraqesë vështirësinë më të madhe lidhur me të gjitha të drejtat e shqyrtuara dhe duhet të rritet. “Në të dyja rastet, të drejtat e njeriut duhet të barten nga diskursi i marrëdhënieve me publikun në realitet kulturor, përmes caktimit të kulturës si prioritet, zbatimit urgjent të të gjitha standardeve përkatëse, përfshirë edhe ato të tolerancës dhe diversitetit, dhe edukimit rreth të drejtave të njeriut.”

Raportuesja Speciale do ta paraqesë një raport gjithpërfshirës rreth vizitës së saj në Serbi dhe Kosovë përpara Këshillit të OKB-së për të Drejta të Njeriut.

(*) Përgjatë këtij dokumenti, referencat ndaj Kosovës do të kuptohen në përputhje të plotë me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (1999) dhe pa paragjykim ndaj statusit të Kosovës.

(**) Shih deklaratën e Raportueses Speciale në fund të misionit:

http://www.ohchr.org/EN/NewsEvents/Pages/DisplayNews.aspx?NewsIDë20675&LangIDëE

FUND

Znj. Karima Bennoune
u emërua Raportuese Speciale e OKB-së në fushën e të drejtave kulturore në tetor të vitit 2015. Ajo u rrit në Algjeri dhe në SHBA. Ajo është profesore në lëndët e Juridikut dhe Hulumtuese në Universitetin e Kalifornisë – Davis School of Law, ku ligjëron në lëndët e të drejtave të njeriut dhe ligjit ndërkombëtar. Znj. Bennoune ka punuar në fushën e drejtave të njeriut më gjatë se 20 vite. Për të mësuar më shumë, shih:

http://www.ohchr.org/EN/Issues/CulturalRights/Pages/SRCulturalRightsIndex.aspx

Raportuesit Special janë pjesë e Procedurave Speciale të Këshillit për të Drejta të Njeriut. Procedurat Speciale, organi më i madh i ekspertëve të pavarur në sistemin e OKB-së për të Drejta të Njeriut, është emërtimi i përgjithshëm i mekanizmave të pavarur të Këshillit për mbledhjen e fakteve dhe monitorim. Mandatarët e Procedurave Specialejanë ekspertë të pavarur për të drejtat e njeriut të emëruar nga Këshilli për të Drejta të Njeriut për të trajtuar situatat specifike në vende të ndryshme apo çështje tematike anembanë botës. Ata nuk janë nëpunës të OKB-së dhe janë të pavarur prej çfarëdo qeverie apo organizate. Ata shërbejnë në cilësinë e tyre individuale dhe nuk paguhen për punën e tyre.

Për më shumë informata dhe kërkesa mediale, ju lutemi kontaktoni:
Në Serbi: Znj. Mylène Bidault (+ 41 79 444 40 78 / 41 22 917 92 54 / mbidault@ohchr.org) ose shkruani srculturalrights@ohchr.org.

Për portale lajmesh dhe media sociale:Përmbajtja multimediale & mesazhet kyçe lidhur me komunikatat tona për shtyp mund të gjenden në kanalet mediale të OKB-së për të Drejta të Njeriut, të paraqitura më poshtë. Ju lutemi na bëni “tag” duke përdorur mënyrat adekuate:
Twitter: @UNHumanRights
Facebook: unitednationshumanrights
Instagram: unitednationshumanrights
Google+: unitednationshumanrights
Youtube: unohchr

    Print       Email
  • Published: 8 years ago on 20/10/2016
  • By:
  • Last Modified: October 21, 2016 @ 4:32 pm
  • Filed Under: Press statement

About the author

Mulitimedia Specialist

You might also like...

Statement by the Special Representative of the Secretary-General and Head of UNMIK, Zahir Tanin, Condemning Recent Threats of Ethnic Cleansing

Read More →