Marek A. Nowicki
Marek A. Nowicki (janar 2007 – vazhdon) është shtetas i Polonisë dhe jurist i fushës së të drejtave të njeriut. Që nga viti 1987 është anëtar i Odës së Avokatëve të Varshavës. Nga korriku 2013, ai është anëtar i Panelit Zgjedhor te Çmimit të Vaclave Havel mbi të Drejtat e Njeriut në Asamblen Parlamentare të Këshillit te Evropës.
Z. Nowicki ishte Avokati ndërkombëtar i Popullit në Kosovë, i emëruar nga Kombet e Bashkuara nga korriku i vitit 2000 deri në dhjetor 2005. Ai ka qenë anëtar i Komisionit evropian për të drejta të njeriut në Strasburg nga marsi 1993 deri më 31 tetor 1999, dhe po ashtu ka qenë anëtar i Polonisë i Rrjetit të Bashkimit Evropian të ekspertëve të pavarur për të drejtat themelore, nga marsi 2003 deri në shtator 2006. Në vitin 2005 ai është emëruar nga Komisioni i ministrave si njëri prej kandidatëve për postin e Komisionerit për të drejta të njeriut të Këshillit të Evropës.
Ai ishte njëri nga juristët eminentë të emëruar nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës për të vlerësuar gjendjen ligjore dhe atë të të drejtave të njeriut në Moldavi (1994) dhe në Azerbejxhan (1997). Në vitin 1996 dhe 1998, Këshilli i Evropës i ka propozuar të shërbejë si eksperti i të drejtave të njeriut gjatë vlerësimit të përputhshmërisë së sistemit ligjor të Gjeorgjisë dhe të Federatës Ruse me standardet e Konventës Evropiane për të Drejta të Njeriut. Ai ka punuar si ekspert i të drejtave të njeriut për Komisionin evropian për demokraci përmes ligjit (Komisioni i Venedikut) dhe për Drejtorinë e përgjithshme për të drejtat e njeriut dhe çështjet ligjore të Këshillit të Evropës.
Ai ka qenë themelues i Fondacionit të Helsinkit për të Drejta të Njeriut në Varshavë, dhe kryetar i tij nga nëntori i vitit 2003 deri në shkurt të vitit 2008.Në qershor të vitit 2012 është zgjedhur kryetar i Këshillit të Fondacionit të Helsinkit për të Drejta të Njeriut. Ai ishte anëtar i Këshillit këshillëdhënës të Qendrës ndërkombëtare për mbrojte ligjore të të drejtave të njeriut në Londër (INTERIGHTS). Z. Nowicki është autor i disa librave dhe i qindra artikujve për të drejtat e njeriut, të botuara në Poloni dhe në vendet e tjera. Ai gjithashtu mban ligjërata për të drejtat e njeriut në universitetin “Collegium Civitas” në Varshavë.
Christine Chinkin
Christine Chinkin është anëtare e Akademisë britaneze. Aktualisht është profesoreshë e të drejtës ndërkombëtare në Fakultetin ekonomik të Londrës dhe profesoreshë e drejtësisë në William C Cook, fakultet i drejtësisë në Universitetin e Miçigenit. Ajo është anëtare e shoqatës së avokatëve të Anglisë dhe Wales, dhe anëtare akademike e Dhomës Maytix. Ka diplomuar në drejtësi në Universitetin e Londrës, Yale dhe Sydney, dhe më parë ka mbajtur poste akademike me orar të plotë në Universitetin e Oksfordit, të Londrës, në Fakultetin e Drejtësisë në Nju Jork, në Universitetin Kombëtar të Singaporit, në Universitetin e Sydneit dhe Southampton.
Profesoresha Chinkin kryesisht është e përqendruar në të drejtën ndërkombëtare publike, veçanërisht në ligjin për traktatet, të drejtat e njeriut, me theks të veçantë në mbrojtjen ndërkombëtare të të drejtave të gruas, të organizatave ndërkombëtare dhe zgjidhjen e kontesteve vendore dhe ndërkombëtare. Ajo është autore e shumë artikujve për çështjet e së drejtës ndërkombëtare publike dhe të drejtat e njeriut të grave: Ligjet Halsbury të Australisë, Titulli i marrëdhënieve të jashtme (botimi i dytë 2001), Palët e treta në të drejtën ndërkombëtare (1993), bashkautore në “Zgjidhja e kontesteve në Australi” (botimi i dytë 2002), bashkautore e “Kufijtë e së drejtës ndërkombëtare”: Analiza feministe (2000) dhe bashkautore e “Zhvillimi i së drejtës ndërkombëtare” (2007). Ajo është Drejtoreshë për studime në Asociacionin e së drejtës ndërkombëtare.
Në prill të vitit 2001, asaj i është dhuruar Fletëlavdërimi për kontributin e jashtëzakonshëm dhënë në fushën e arsimit, dhe në vitin 2006 medalja e shoqërisë Goler T. Butcher për kontributin e jashtëzakonshëm në zhvillimin apo realizimin efektiv të së drejtës ndërkombëtar mbi të drejtat e njeriut (me H. Charlesworth).
Profesoresha Chinkin ka qenë konsulente për të drejtën ndërkombëtare në Bankën aziatike për zhvillim; për trafikimin e grave në Zyrën e KB-së të Komisionerit të lartë për të drejtat e njeriut; për marrëveshjet paqësore dhe çështjet gjinore në Divizionin e KB-së për avancimin e gruas dhe UNIFEM-in. Aktualisht ajo është eksperte shkencore në një Komision ad hoc të Këshillit të Evropës për përpilimin e një konvente mbi dhunën kundër gruas dhe dhunën në familje. Ajo ishte anëtare e Misionit për gjetjen e fakteve në Beit Hanoun, në pajtim me Rezolutën e Këshillit të Kombeve të Bashkuara për të drejtat e njeriut S 3/1, maj 2008 dhe e Misionit të KB-së për gjetjen e fakteve për konfliktin e Gazës në vitin 2009.
Françoise Tulkens
Françoise Tulkens (shtator 2012 - vazhdon) ka doktoruar në drejtësi, ka magjistruar në kriminologji dhe ka diplomuar në shkollën e lartë për mësimdhënie në fushën e drejtësisë (agrégation de l’enseignement supérieur). Ka qenë profesoreshë në Universitetin Louvain (Belgjikë) dhe ka dhënë mësim në Belgjikë si dhe jashtë – si profesor vizitues në Universitetin e Gjenevës, Montreallit, Otavës, Parisit I, Rennes, Strasburgut dhe në Universitetin shtetëror të Luizianës – në fushën e të drejtës së përgjithshme penale, e drejta penale krahasimtare dhe evropiane, drejtësia për të mitur dhe sistemet për mbrojtjen e të drejtave të njeriut.
Ajo është autore e shumë publikimeve në fushën e të drejtave të njeriut dhe të drejtës penale dhe po ashtu e librave të referencës: Introduction au droit pénal. Aspects juridiques et criminologiques (me M. van de Kerchove, Bruksel, Kluwer, edicioni i 9-të., 2010, 863 f.) dhe Droit de la jeunesse. Aide, assistance et protection (me Th. Moreau, Bruksel, Larcier, 2000, 1143 f.). Ajo ka marrë doktorate nderi nga Universiteti i Gjenevës, Limoges dhe Otavës. Nga nëntori 1998 deri në shtator 2012 ishte gjyqtare në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut, duke shërbyer si kryetare e sektorit nga janari 2007 dhe si nënkryetare e Gjykatës nga shkurti 2011.
Ajo ka qenë anëtare pjesëmarrëse e Akademisë Mbretërore të Belgjikës që nga viti 2011. Aktualisht është kryesuese e Bordit të guvernatorëve të Fondacionit të mbretit Baudouin.
Paul Lemmens
Paul Lemmens ( janar 2007 – shtator 2012) është qytetar i Belgjikës.
Ai ishte gjyqtar në Këshillin Shtetëror të Belgjikës nga viti 1994 deri në shtator të vitit 2012. Ai ka shërbyer në sektorin e Këshillit Shtetëror që shqyrton përputhshmërinë e draft legjislacionit dhe draft rregulloreve me normat më të larta të së drejtës ndërkombëtare dhe të drejtës nacionale, dhe në sektorin kontestimor të Këshillit Shtetëror, që përbën Këshillin Administrativ Suprem të Belgjikës.
Që nga viti 1986, z. Lemmens ka qenë edhe profesor në Universitetin e Luvenit (Leuven) ku ai ligjëron të drejtën ndërkombëtare për të drejtat e njeriut. Ai ka ligjëruar edhe të drejtën kushtetuese, të drejtën civile dhe procedurën administrative. Ai është autor i disa librave dhe artikujve për Ligjin evropian për të drejtat e njeriut. Ai ka qenë drejtor i Belgjikës në programin evropian për magjistraturë për të drejtat e njeriut dhe demokratizimin, një program evropian ndëruniversitar, i vendosur në Venecie, Itali.
Z. Lemmens mori mandatin e gjyqtarit në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut në shtator të vitit 2012.
Michèle Picard
Michèle Picard (janar 2007-mars 2008), qytetare frënge, u emërua gjyqtare në vitin 1982. Ajo më vonë u bë Zëvendëskryetare e Tribunal de Grande Instance të Parisit. Në mars të vitit 1996 ajo u emërua nga Komiteti i Ministrave të Këshillit të Evropës anëtare e Dhomës për të drejtat e njeriut në Bosnje dhe Hercegovinë. Ajo ishte kryetare e Dhomës nga nëntori i vitit 1997 deri më dhjetor 2003.
Znj. Picard ishte anëtare alternative e nën-komisionit të KB-së mbi promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut deri më 2006 , e cila nga Kryetari i Komisionit të KB-së për të Drejtat e Njeriut për dy vite në korrik 2005 u caktua si eksperte e pavarur për situatën e të drejtave të njeriut në Uzbekistan. Ajo u zgjodh nga Asambleja e Përgjithshme e KB-së gjyqtare ad litem në Tribunalin Ndërkombëtar Penal për ish Jugosllavi, më 24 gusht 2005, një funksion që ajo e morri më 3 mars 2008. Znj. Picard gjithashtu punoi në sektorin e të drejtave të njeriut në Këshillin e Evropës në Shqipëri, në IRJM dhe në Bosnje dhe Hercegovinë.
Snezhana Botusharova (maj 2008-qershor 2009) është shtetase e Bullgarisë, ku njëkohësisht ka qenë gjyqtare ndërkombëtare në Gjykatën e Bosnjës dhe Hercegovinës dhe anëtare e Panelit. Nga nëntori i vitit 1998 deri në prill të vitit 2008, ajo ka qenë gjyqtare në Gjykatën Evropiane për të Drejta të Njeriut.
Znj. Botusharova doktoroi në drejtësi në Universitetin Lomonosov të Moskës. Ajo ka punuar si avokate në Odën e Avokatëve të Sofjes para se të bëhej profesoreshë e të drejtës kushtetuese në Universitetin Kliment Ohridski të Sofjes, në Universitetin e Ri të Sofjes dhe në Universitetin Neofit Rilski në Blagoevgrad.
Znj. Botusharova ka qenë deputete e Kuvendit të Bullgarisë nga radhët e Unionit të Forcave Demokratike dhe ishte njëra nga autorët e Kushtetutës së re të Bullgarisë. Ajo u rizgjodh në mandatin e 36-të të Kuvendit të shtetit, ishte zëvendëskryetarja e tij dhe ushtruesja e detyrës së kryetares prej shtatorit deri në nëntor të vitit 1992. Si anëtare e Kuvendit, ajo morri pjesë në veprimtari të ndryshme legjislative, duke përgatitur bazën ligjore për tranzicionin e Bullgarisë në demokraci dhe në sundim të ligjit. Ajo gjithashtu ishte anëtare e Komisionit Evropian të Këshillit të Evropës për demokraci përmes ligjit prej vitit 1991 deri 1994 dhe, në këtë kapacitet, ka hartuar mendime ligjore për propozimkushtetutën e Ukrainës, të Federatës Ruse dhe atë të Moldavisë. Prej vitit 1994 deri 1998 znj. Botusharova ka qenë ambasadore e jashtëzakonshme dhe fuqiplotë e Republikës së Bullgarisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Znj. Botusharova është autore e librave dhe artikujve për të drejtën kushtetuese, në veçanti, për Kushtetutën e re të Bullgarisë dhe për çështje të të drejtave të njeriut.
Znj. Botusharova u emërua gjyqtare ndërkombëtare në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës në qershor 2009.